ILIEVSKI

BOROZANI/Lis Dorambari
‘Fokusohemi për fitore edhe atje’
2 April, 2015 @7:56
Trajneri i Prishtinës Marjan Ilievski është treguar i sinqertë në deklaratën e tij pas fitores së madhe ndaj Kozuvit.
Ai ka bërë të ditur se përkundër që e donin shumë fitoren, askush nuk e ka pritur që ajo do të vinte me një rezultat që bën dallim të madh për ndeshjen e kthimit.
“Për 38 minuta kemi luajtur në ritëm të lartë për të arritur qëllimin, fitoren. Edhepse e donim shumë fitoren, nuk kemi menduar se do të arrijmë me rezultat të thellë, që është shumë e mirëseardhur,” ka thënë ai për faqen zyrtare të BIBL-it pas ndeshjes.
Sa i përket ndeshjes së kthimit, Ilievski ka thënë se Prishtina do të fokusohet që të fitojë edhe atje, derisa presioni do të jetë te Kozuvi.
“Ne përkundër se kemi avantazh të madh, do të jemi të koncentruar që të fitojmë edhe atje. Dua t’i falenderoj lojtarët e mi për karakter ndërsa qytetarët e Prishtinës për përkrahjen e mrekullueshme,” ka shtuar ai në fund.
Prishtina fitoi me 24 pikë dallim Kozuvin mbrëmë në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, derisa më 8 prill luan ndeshjen e kthimit në Gjevgjeli.