ZYRTARE
FSHF në disciplinore të UEFA-së
15 October, 2014 @21:27
Ndeshja e ndërprerë e djeshme ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë i ka bërë të dy këto vende që të futen në procedurë disciplinore nga UEFA-ja.
Shteti serb dhe Federata Serbe e Futbollit (FSS) kanë bërë gjithçka brenda këtyre 24 orëve që të fusin edhe kuqezinjtë në Procedurë Disciplinore - dhe ia kanë arritur mirë e mirë.
Bile, njëra ndër pikat që rëndojnë ndaj Shqipërisë është edhe refuzimi që të vazhdojnë lojën!!!
Mëposhtë lexoni komunikatën e plotë të UEFA-së në lidhje me ndeshjen:
“Janë hapur procedura disciplinore ndaj FSS-së dhe FSHF. FSS do të përgjigjet për: lansim dhe gjuajte të fishekzjarrëve dhe bombolave (art. 16 2b dhe c), shqetësim në turmë ( art. 16 DR), futja e tifozvë në fushë (art. 16 2a), organizim i pamjaftueshëm (art. 16 1 DR) dhe përdorimi i laserëve (art. 16 2d). FSHF do të përgjigjet për: refuzim të vazhdimit të lojës (art. 27 1) dhe paraqitje të flamurit të paligjshëm (art. 16 2e),” shkruan në njoftimin e UEFA-së.
Çështja do të diskutohet dhe vendimi do të mirret më 23 tetor nga Komisioni Disciplinor i UEFA-së.
Kjo tregon edhe njëherë fuqinë e politikës serbe që vepron edhe në sport dhe tashmë nga fajtori i qindpërqindtë, Serbia dëshiron ta fus në zjarr edhe Shqipërinë.
Duke shpresuar në një vendim të kthjelltë të UEFA-së dhe këndellje të FSHF-së këto ditë për të plotësuar dokumentet e nevojshme dhe për të nxjerrë të vërtetën në shesh - mbesim në pritje për kombëtaren kuqezi deri më 23 tetor.