XHIROJA HAPET ME BARAZIM!
Fushë Kosova siguron edhe një pikë, kësaj radhe ndaj Malishevës
28 October, 2023 @15:18
Skuadra e Fushë Kosovës dalëngadalë po gjen ritmin edhe pse po i mungojnë golat. Sidoqoftë, “Pampurët” kanë arritur të sigurojnë edhe një pikë si vendas sot, duke barazuar ndaj Malishevës që në xhiron e kaluar u nda me trajnerin Senad Alirifa dhe u drejtua nga Qëndrim Kida.
Derisa Malisheva ka marrë pikën e parë pas dy humbjeve radhazi, ka qenë Arlind Rugji në portën e Fushë Kosovës që ka mbrojtur disa raste të mira të mysafirëve për t’ia siguruar pikën ekipit të Burim Shalës. Rugji njëherë mbrojti topin e Drilon Hazrollajt, që goditi me kokë. Ndërsa në pjesë të dytë Altin Aliu tentoi bukur, por topi shkoi mbi portë (62’).
Urim Statovci kishte mundësinë më të mirë për Fushë Kosovën në pjesë të dytë, por sulmuesi i vendasve që në mungesë të stadiumit po luan në “Sami Kelmendi” të Lipjanit, nuk ka mbërritur te topi për të shënuar lehtë (72’). Në fund, Fushë Kosova 0-0 Malisheva.
Barazimi i tretë i Fushë Kosovës nuk i nxjerr ata nga fundi i renditjes, por i bën me 6 pikë nga 11 ndeshje, njëjtë sikurse Liria e parafundit. Malisheva në anën tjetër, tashmë rrezikon pozitën e katërt, pasi që ka 13 pikë nga 11 ndeshje pas 11 duelesh në Superligë.