ME KRYETRAJNER NIGERIAN!
Emmanuel Egbo - kryetrajner i ri i Prishtinës
26 October, 2023 @14:43
Nigeriani 50-vjeçar, që në stinorin 2019/20 u bë kampion i Shqipërisë me Tiranën, Emmanuel Egbo - është zyrtarizuar sot si kryetrajner i Prishtinës.
Pak minuta pasi që FC Prishtina njoftoi se ka ndarë rrugët me trajnerin e deritashëm të ekipit, Debatik Curri, nxorri edhe lajmin për trajnerin e ri të ekipit, ish-portierin e Bylisit dhe të Tiranës.
Bashkëpunëtor të parë ai do ta ketë Eldiano Topin, trajner. Në deklaratën e parë të dhënë zyrtarisht si trajner i ri i rekord-kampionit të Kosovës, Egbo ka thënë se nuk e ka pasur vështirë të pranojë ofertën e dhënë nga bardhekaltërit.
“E njoh Prishtinën, është klubi më i madh në Kosovë, nuk diskutohet me trofetë që ka fituar dhe me shumë ngjarjet që ka bërë me futbollin e Kosovës”.
“Nuk ishte shumë e vështirë të pranoja ofertën. Pas shpjegimit të planeve dhe objektivave që ka klubi dhe duke qenë tip që i dua sfidat, duke qenë se kam punuar edhe te Tirana, si kulmi i futbollit në Shqipëri, e di që çfarë presioni kanë klubet si Prishtina dhe nuk e pata të vështirë të pranoja punën. Do të jetë ide e mirë të bashkëpunoj me klubin”.
“Nga afër nuk e njoh ekipin, por kam ndjekur skuadrën edhe në të kaluarën, por edhe tash së fundi, nga pamjet televizive në Shqipëri, por edhe nga video-ndeshjet. Por, objektivat janë të qarta, arritja më e pakët është Evropa, pse jo edhe më lartë, por kjo mund të arrihet vetëm të bashkuar me të gjithë punëtorët e klubit deri te futbollisti më kryesor i skuadrës”.
Prishtina nuk ka fituar në Superligë që prej gushtit. Ekipi aktualisht është me 13 pikë pas 10 ndeshjeve të para në elitë, derisa Prishtina është rekordere e barazimeve këtë stinor deri tash, me shtatë të tilla. Lideri i kampionatit, Ballkani është dhjetë pikë mbi Prishtinën dhe me një ndeshje më pak.