LICENSOHET LIRIA
Më në fund, Liria kalon prej OJQ në SH.P.K.
26 October, 2023 @19:19
Skuadra e Lirisë që pas katër vitesh militimi në Ligë të Parë të Kosovës iu kthye Superligës, ndërsa ka nisur stinorin jo fort mirë aty, ka bërë të ditur sonte se përfundimisht ka kryer procesin e kalimit prej OJQ-së në SH.P.K. me ç‘rast edhe ka marrë licensën përkatëse nga Ministria e Sportit dhe tash e tutje do të mund të shfrytëzojë 30%-shin e kompanive të ndryshme si mjete të klubit.
“Klubi nga OJQ zyrtarisht ka kaluar në SH.P.K.
Pas një sërë orvatjesh lidhur me definimin e statusit juridik të Klubit të Futbollit Liria, sot Komisioni Vlerësues për Licencim të klubeve i MKRS-së, ka dhënë verdiktin pozitiv. Licencimi i FC Liria, hapë rrugë bashkëpunimit me biznese, që do të mundësojnë arritjen e synimeve,” ka shkruar ndër të tjera njoftimi i klubit bardhezi nga Prizreni!
Liria është e parafundit në renditje dhe pas 10 xhirove të para të stinorit ka shënuar një fitore të vetme. Ekipi me kalimin në SH. P. K. do të mund të gjejë sponsorë financiar më lehtë, pasi që me Ligjin e Sponsorimit në Kosovë, kompanitë 30% të tatimit në fitim vjetor të tyre do të mund t’ia dedikojnë klubeve sportive.
Klubi nuk ka dhënë detaje tjera për procesin e kalimit dhe të tilla.