TALENTI I RI
Garanton kombëtaren për Avdiajn nëse shënon gol
8 August, 2014 @10:40
Ylli i ri i Schalke 04, Dionis Avdiaj, pritet të jetë i përzgjedhur i trajnerit Jens Keller për ekipin senior, pas viteve të kaluara te të rinjtë.
Avdiaj, që u shqua me golat e tij në miqësore me Mbretërit e Kaltër të Schalkes, përkundër se me të 25-tin e këtij muaji mbush 18 vjet, ka mundësi të madhe që të luaj përkrah Klas Jan Huntelaarit këtë stinor në Bundesligë.
Ky fakt nuk i ka ikur kuqezinjëve që kanë kontaktuar me djaloshin e ri me origjinë shqiptare, që ka djersitur fanellën e Gjermanisë U-17.
Drejtuesit e Federatës Shqiptare kanë kontaktuar me babain e lojtarit dhe përgjigjja e tij ka qenë se Avdiaj nuk do të luaj për shpresat e kombëtares, por nëse vjen në Shqipëri, kërkon paraqitje me ekipin seinor/bazë.
“Ai ka vendosur kusht që të luajë vetëm me skuadrën e parë dhe jo me shpresat. Ndërsa ne kemi gjykuar që do të ishte më mirë nëse ai provohet me shpresat që drejton Skender Gega. Në gjykimin tim nuk ka asgjë të keqe, pasi nuk duhet të harrojmë se djaloshi është ende shumë i ri, ai ende nuk i ka 18 vjet,” është cituar të ketë thënë De Biasi për Panorama Sport.
Për më tepër italiani 56 vjeç, De Biasi, edhe ka arsyetuar vendimin e tij dhe të stafit të kombëtares, përkundër se nuk dihet çka do të bëhet me Avdiajn para kualifikimeve për EURO 2016.
“Nëse i referoheni lojtarëve si [Theo] Walcott, [Leo] Messi e [Michael] Owen, që janë grumbulluar me kombëtaret e tyre si të rinj - ju bëj me dije se ata në atë kohë luanin edhe në kampionate përkatëse me skuadrat e tyre. Ndërkohë, unë e di që Avdiaj ende nuk e ka luajtur asnjë sekondë me Schalken në Bundesligë. Në fund, uroj që një talent i tillë si ai të del në skenë botërore dhe ka pak rëndësi nëse do të luaj me ne apo ajo, përkundër se unë, ju dhe të gjithë shqiptarët do ta donim ta kemi në skuadër,” ka thënë më tej në bisedë De Biasi, që ka garantuar se nëse nis të luaj Avdiaj me Schalken me fillimin e Bundesligës 2014/15 atëherë do ta thërras në ekipin e parë të kombëtares.
Për më tepër ai në bisedë ka shtuar se kurdo që debuton Avdiaj me Schalken dhe nëse e arrin golin - le ta dijë që muajin tjetër në ndeshjet e radhës do të merr ftesën dhe do ta shihni kuqezi.
Shqipëria ka tre ndeshje shumë të vështira në fillim të aventurës për EURO 2016. Së pari ndeshen me Portugalinë, pastaj presin Danimarkën para se të udhëtojnë në Serbi.