ALBERT BUNJAKU
Goli i fundit e nervozoi më së shumti
6 October, 2016 @23:38
Selektori i Kosovës, Albert Bunjaku, pas ndeshjes ka thënë se goli i fundit i Kroacisë më së shumti e ka nervozuar atë.
Kështu ka thënë ai pas duelit ndaj Kroacisë, ku Kosova pësoi 0-6 sonte.
“I kishim 3 raste në pjesë të parë, të cilat po t’i kishim shënuar do të motivoheshim dhe loja do të merrte kahje tjetër,” ka thënë ai fillimisht.
Ai është pyetur edhe për mbrojtësin Avni Pepa, që ishte ndër lojtarët e qendrës së mbrojtjes që nuk arriti të ndalë asnjëherë Mario Mandzukicin.
“Mendoj që Pepa s’ka qenë i keq sonte. Tre golat e parë kanë qenë të pandalshme me lojtarët që i kemi. Ndërsa më së shumti më ka nervozuar goli i fundit, që është pranuar totalisht panevojshëm,” ka thënë Bunjaku pas ndeshjes.
“Mos të harrojmë se Kroacia ka qenë ekipi me më së shumti krosime për ndeshje në “Franca 2016”, që tregon mjaft për ta. Ne nuk kemi arritur t’i ndalim ato, edhepse e kemi ditur nga janë më të rrezikshëm,” ka shtuar selektori.
Sidoqoftë, ai shprehur optimist për ndeshjen tjetër, duke thënë se te ekipi do të bëj një rotacion.
“Me rastet që i kemi pasur kemi treguar se luajmë, por duhet punuar më shumë për të arritur rezultat,” ka thënë ndër të tjera njëshi i Kosovës.