MIRLIND DAKU
Goli para syve të Challandes, Daku i gatshëm të jap atomin e fundit për Kosovën
21 March, 2021 @17:19
Golashënuesi më i mirë i Superligës, Mirlind Daku, ka shënuar golin e tij të 26-të sot në përballjen kundër Trepçës ‘89.
Në këtë ndeshje ishte prezent edhe përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, i cili e pa nga afër golin e shënuar nga sulmuesi i Ballkanit.
Daku pas ndeshjes u pyet nëse do të ketë ndonjë ftesë nga përzgjedhësi Challandes, pasi ky i fundit e kishte lënë futbollistin jashtë liste për grumbullimin e këtij muaji.
“Nuk e di. Këtu trajneri vendos. Nuk kam pasur as informatë para ndeshjes që do të vijë dhe do ta shiqojë ndeshjen. Unë e bëj punën time. Puna e trajnerit është t’i shiqojë lojtarët. Nëse mendon ai që duhet të ftohem, unë jam i gatshëm. Nëse mendon për herat e tjera, unë prapë jam i gatshëm për herat e tjera për të dhënë atomin e fundit për Kosovën”, tha Daku.
Top golashënuesi i Superligës po ashtu foli edhe për formën e tij të lartë këtë stinor dhe synimin e skuadrës së tij, Ballkanit, për të arritur deri tek titulli.
“Vet statistikat tregojnë që ka qenë një sezon jashtëzakonisht i mirë për mua. Por nëse nuk arrijmë te objektivat e klubit, besoj që këto nuk do të kishin vlerë për mua. Kështu që në fund shpresoj t’i arrijmë objektivat e klubit dhe i gjithë ky mund t’i shpërblehet gjithë lojtarëve”, tha ai.