FLET PËRVOJA
Hajvalia për titull
4 July, 2015 @14:45
Njëri ndër mesfushorët më të vlerësuar në Kosovë, Azem Ahmeti, që pas vitesh të kaluara me Prishtinën kaloi te Hajvalia në stinorin e shkuar, ka thënë se ekipi i tij është kandidat serioz për titull në stinorin 2015/16.
Në një bisedë për faqen zyrtare të ekipit të Hajvalisë, Ahmeti duke treguar përvojat me ekipin nga Kishnica në fazën përgatitore në Zvicër dhe rëndësinë e ndeshjes me Sionin ka thënë se Hajvalia është njëri ndër kandidatët për titull të kampionit.
“Jemi konkurrent i fortë për titull. Besoj që do të japim secili maksimumin tonë për të fituar titullin. Duhet të marrim në konsideratë edhe ndihmën e përforcimeve,” ka thënë Ahmeti për faqen e klubit bardhekuq.
Hajvalia ka emëruar trajner Mentor Miftarin në fillim të stinorit dhe është duke u përgatitur seriozisht për edicionin që pritet të jetë tejet interesant.
Ahmeti 31 vjeç është njëri ndër mesfushorët më me përvojë në Kosovë. Ai ka shënuar katër gola në stinorin e kaluar në Superligë, derisa luan kryesisht në qendër të fushës.