KUQEZI

Hysaj: Shqipëria kualifikohet direkt
13 April, 2015 @15:06
Mbrojtësi i Empolit dhe i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, në një bisedë me Panorama Sport, ka thënë se Shqipëria do të përfundojë Grupin I kualifikues për EURO 2016 në vend të dytë dhe do të sigurojë kualifikimin për europian.
Kualifikimi direkt
“Unë mendoj se kemi gjasa të mëdha për të arritur realizimin e një ëndrre. Kanë mbetur 4 ndeshje që duhet t’i vlerësojmë maksimalisht. Siç e shoh unë, mendoj se do të arrijmë kualifikimin direkt, pa ndihmë të Play-Offit,” është cituar të ketë thënë Hysaj.
Ndër të tjera, ai ka cekur se pika më e fortë e kuqezinjëve është grupi i lojtarëve që ka krijuar trajneri Gianni De Biasi.
Grupi, pika më e fortë e kombëtares
“Pika më e fortë e kombëtares është grupi që ka krijuar trajneri. Puna e tij dhe e stafit ka bërë që ne të arrijmë në këtë pikë ku gjendemi,” ka shtuar ai.
Sa i përket ndeshjes së radhës në grup, ndaj Danimarkës si mysafir Hysaj e vlerëson kështu:
Me këmbë në tokë drejt fitores
“Të rëndësishme janë 4 sfidat e fundit, pasi më nuk ka mundësi të përmirësohen gabimet. Ne deri tani kemi bërë punë shumë të mirë dhe kam besim se do të vazhdojmë me këtë ecuri pozitive. Me këmbë në tokë dhe punën e De Biasit me stafin e tij, besoj realisht në kualifikim.”
Pozita dhe ndeshjet e radhës
Shqipëria aktualisht është në vend të tretë të Grupit I kualifikues për EURO 2016 me pikë të njejta sikur Danimarka që gjindet në pozitën e dytë, por me golaverazh më të dobët.
Ndeshja e Shqipërisë ndaj Danimarkës luhet më 7 shtator të këtij viti në Kopenhagë, derisa katër ditë më vonë kuqezinjtë presin Portugalinë në Elbasan.