BALLKANI - TREPÇA '89

I pamposhtur mbetet Ballkani, përkohësisht lider
13 September, 2019 @17:59
Ndeshja hapëse e xhiros së katërt në Superligë, ndërmjet Ballkanit dhe Trepçës ‘89, përfundoi me 5 gola.
Ballkani e mposhti Trepçën ‘89 me rezultat 3-2.
Ndeshja filloi me gol. Në sekondën e 20’, Artur Magani shënoi për Ballkanin pas dy tentimeve në një kundërsulm, kurse në minutën e 10’, Ballkani fitoi një penallti, nga e cila dështoi kapiteni Visar Berisha.
Menjëherë 2 minuta më vonë, gabimin e portierit Arben Beqiri, e shfrytëzoi më së miri Blend Baftiu, i cili shënoi në portën e zbrazët për 2-0.
Në pjesën e dytë, pas një solo akcioni të Arbër Hoxhës, skuadra e trajnerit Ismet Munishi e trefishoi epërsinë.
Trepça ‘89 shënoi dy herë me Arb Manajn (57’ dhe 81’), por golat e tij nuk mjaftuan për pikë.
Vlen të ceket se në minutën e 65’, është anuluar goli i skuadrës mitrovicase, për shkak të pozitës jashtë loje.
Ballkani dhe Trepça ‘89, ishin dy skuadrat e vetme deri më sot pa humbje. Ballkani aktualisht me 8 pikë u vendos në krye të tabelës, kurse Trepça ‘89 me 5 pikë mbetet në pozitën e pestë.
Në xhiron tjetër, Ballkani luan me Gjilanin, kurse Trepça ‘89 me Prishtinën.