ATALANTA - UNITED
I zakonshmi Ronaldo, United përsëri shpëton në fund
2 November, 2021 @23:02
36 vjeçar, por prapë mbetet Cristiano Ronaldo!
Portugezi vazhdon ta shpëtojë Unitedin në fund në ndeshjet e Champions Leagues këtë sezon.
Pasi e shpëtoi në dy të kaluarat ndaj Villarrealit e Atalantës, portugezi sonte e shpëtoi Unitedin edhe në ndeshjen kthyese ndaj Atalantës. Kjo ndeshje në fund përfundoi 2-2, e fitoren vendasve ia mohoi pikërisht Ronaldo.
Ndeshja filloi mirë për Unitedin, që rrezikoi duke e goditur shtyllën rreth minutës së 5’ përmes goditjes së McTominay, mirëpo ishin vendasit ata që shënuan të parët.
Për 1-0 të vendasve shënoi Ilicic, e më pas United barazoi në fundin e pjesës së parë me golin e Ronaldos. Ky i fundit u shërbye mjeshtërisht nga Bruno Fernandes.
Në pjesën e dytë, ishte Duvan Zapata ai që ia dha epërsinë përsëri italianëve, por krejt në fund të ndeshjes, në skenë doli përsëri Cristiano Ronaldo, i cili shënoi me të djathtën për 2-2 dhe ndeshja u mbyll me barazim.
Lajm i keq për Unitedin nga kjo ndeshje është lëndimi i Raphael Varane në pjesën e parë, që mund të jetë mungesë e madhe ndaj Cityt në ligë të shtunën, e në anën tjetër lajm i mirë për Atalantën është rikthimi i shqiptarit Berat Gjimshiti, i cili sot luajti përgjatë gjithë pjesës së dytë.
Ky barazim bën që United pas 4 ndeshjeve me 7 pikë të jetë në krye të Grupit F bashkë me Villarrealin, që gjithashtu ka 7. Atalanta në ndërkohë ka 5, e Young Boys mbesin në fund me 3.