SHPËTIM IDRIZI
Idrizi: Ballkani ka lojtarë që bëjnë diferencën
21 March, 2021 @16:45
Skuadra e Trepçës ‘89 sot pësoi humbje në shtëpi, duke u mposhtur nga lideri i ri i Superligës, Ballkani, me rezultat 0-2.
Pas ndeshjes, trajneri i ‘89-shit, Shpëtim Idrizi, tha se skuara e tij u mundua për të arritur diç më shumë, por kualiteti i lojtarëve kundërshtarë ishte faktor për këtë rezultat.
“E kemi ditur që do të jetë një përballje e fortë, duke pasur parasysh se Ballkani ka një super skuadër. Deri në momentin e pranimit të golit, që nuk ishte ndoshta as aksion, u munduam dhe u përpjekëm mjaft. I patëm disa raste që edhe do të mund të barazonim rezultatin, e që do ta ndryshonte edhe rrjedhën e lojës më pas, por Ballkani arriti t’i shfrytëzojë rastet që i pati dhe normalisht na ndëshkoi. Kanë lojtarë që dijnë të bëjnë diferencën dhe ashtu edhe ndodhi. Ne kemi punuar jashtëzakonisht këtë javë, por u pa edhe ekipi që ishte i lodhur, pasi kishim edhe ndeshje në Kupë. Sido që të jetë, ne do të vazhdojmë dhe pushimi është i mirëseardhur për lojtarët. Nuk ka vend për dëshpërim, do të shikojmë përpara dhe besoj që do të arrijmë objektivin që e kemi”, tha trajneri Idrizi.