TREPÇA 69-80 RAHOVECI
TOPSPORTI/ arkiv
Ilievski e nis me fitore, Rahoveci lehtë ndaj Trepçës
31 October, 2019 @23:20
Skuadra e Rahovecit ka shënuar fitoren e pestë në Superligë sonte nga gjashtë ndeshje në total, derisa ka mposhtur Trepçën në Minatori, ku trajneri i ri i skuadrës Marjan Ilievski ka debutuar për ekipin në përballjet e Kosovës.
Ndeshja i ka takuar xhiros së katërt të Superligës, ndërsa ishte shtyer për shkak të angazhimit të vreshtarëve në FIBA Europe Cup.
Rahoveci dominoi në çerek të parë (15-23) dhe të tretë të ndeshjes (12-21) për të marrë fitoren e pestë të stinorit dhe për të kërcyer në pozitën e dytë të klasifikimit, me fitore 69-80 në fund.
Më efikasi në fitoren e Rahovecit ka qenë Chris Bradford, që ka shënuar 16 pikë, 6 kërcime e 3 asistime. Alban Veseli u dallua me 14 pikë, ndërsa 13 të tjera për vreshtarët sonte shtoi Javis Howard.
Përndryshe Ilievski i dha mundësi të gjithë basketbollistëve në dispozicion minutazhë sonte në përballjen e zhvilluar në Minatori.
Te mitrovicasit, që kanë vetëm një fitore nga 6 përballje në Superligë, më efikasi ka qenë amerikani DJ Hanes, që dha 26 pikë, duke shtuar edhe 7 kërcime e 4 asistime. Nga 14 pikë për Trepçën e drejtuar nga Ilir Selmani shënuan edhe Besnik Azemi e EJ Boyce, që s’mjaftuan për të ndalë serinë e humbjeve të ekipit të qytetit nga Ibri.
Pas kësaj ndeshjeje Rahoveci pret Prizrenin në njërën nga derbit e xhiros së radhës, derisa Trepça do të kërkojë fitore ndaj Feronikelit të ardhur këtë vjet në Superligë.