MËRGIM MAVRAJ
Jemi rritur si skuadër
30 August, 2016 @14:49
Në konferencën e parë të kombëtares shqiptare, që u organizua në prag të miqësores me Marokun dhe ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Botëror me Maqedoninë, foli njëra prej shtyllave kryesore të mbrojtjes kuqezi, Mërgim Mavraj.
Ai fillimisht foli për miqësoren me Marokun dhe aventurën e kuqezinjëve në Kampionatin Europian.
“Tani fillon realiteti. Kemi pasur një aventurë shumë të madhe, shumë të bukur, kurse tani është një miqësore që na duhet gjithqysh për t’u kthyer në realitet dhe për të qenë gati për këto sfidat e ardhshme.
Për Marokun në përgjithësi lojtarët njihen, pasi si skuadër nuk i kemi parë shpesh, por ne do të përgatitemi maksimalisht me këto cilësitë tona që i kemi dhe do të mundohemi ta bëjmë maksimalen.”
Më tej, futbollistin i skuadrës së Kolnit bëri krahasimin e kombëtares me rivalët e grupit, duke e parë skuadrën një hap para Izraelit dhe Maqedonisë, falë përvojave të kaluara në kohët e fundit, sidomos në EURO 2016.
“Besoj që jemi rritur si skuadër, por edhe në këto eksperienca që i kemi bërë na shërbejnë në të ardhmen besoj. Jo vetëm që besoj që do të na shërbej, por duhet të na shërbej, sepse jemi në avantazh me këta kundërshtarë që i kemi në grup me Izraelin e Maqedoninë. Kemi disa eksperienca më shumë se ata dhe do e shfrytëzojmë maksimalisht.
Në përgjithësi kemi dëshmuar jo vetëm në Europian, por edhe në ndeshjet e mëhershme që të zëvendësohet edhe Mërgimi, e edhe Loriku. Kështu që nuk është fare problem në aspektin e lojës. Me Ajetin kemi dëshmuar që luajmë bashkë mirë, jemi një duet shumë i mirë, me cilësi shumë të mëdha dhe besoj që edhe në të ardhmen nuk do të kemi problem, sepse edhe Xhimshiti është gati për të luajtur, i cili është një lojtar me shumë përvojë dhe edhe pse është i ri, ka përvojë shumë dhe nuk frikësohem aspak.”
Në fund, 30 vjeçari foli edhe për kapitenin e ri të skuadrës, i cili ende nuk dihet se kush do të jetë, pasi kapiteni i deritashëm, Lorik Cana, vendosi të penzionohet nga kombëtarja shqiptare.
“Në rolin e kapitenit nuk folëm fare, sepse nuk ka fare rëndësi se kush e mban shiritin. Në një skuadër që është e suksesshme, çdo lojtar e ka vendin e vet dhe është i rëndësishëm për skuadrën dhe kontribuon për skuadrën.”