Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

ATDHE NUHIU

Jemi shumë të gatshëm

Atdhe Nuhiu gjatë konferencës së sontme për shtyp, para përballjes Maqedonia-Kosova/ Foto: FFK

Jemi shumë të gatshëm


7 October, 2020 @21:30

Sulmuesi që pritet të bart barën kryesore në vijën e fundit dhe të sjellë golin për Kosovën në ndeshjen më të rëndësishme deri tash në histori të vendit, Atdhe Nuhiu, në konferencën për shtyp para ndeshjes ka thënë se lojtarët janë shumë të gatshëm për sfidën.

Fillimisht, ai ka thënë se futbollistët janë të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes.

“Ndeshje shumë e rëndësishme, jo vetëm për ne si lojtarë, por edhe për gjithë qytetarët dhe shtetin. E dijmë rëndësinë e saj dhe jemi gati për përballjen,” ka thënë sulmuesi që aktualisht po luan për ekipin qipriot të APOEL-it.

Në vazhdim, ai ka treguar se askush s’e ka parashikuar ardhjen e Kosovës deri në këtë pikë të suksesit, dy ndeshje para evropianit.

“Ne kemi pas një ëndërr. Ka qenë koha kur afronim lojtarët te Kosova. Me kohë jemi rrit si ekip. Me vetëbesim kemi arritur deri këtu. Para 4 viteve asnjëri nuk do të parashikonim që do kemi këtë arritje (të jemi kaq afër evropianit v.j.),” ka thënë 31-vjeçari.

Nga mediat shqipare të Maqedonisë, ai është pyetur për barrën që e ka në udhëheqje të sulmit, pas mungesës së Vedat Muriqit.

“Muriqi ka treguar se sa ka punuar me veten së fundi dhe këtë e ka vërtetuar me kalimin në Lazio. Fatkeqësisht nuk e kemi në mesin tonë, por unë e pranoj sfidën dhe do të jemi të gjithë të gatshëm për të arritur suksesin. Secili që kemi me qenë në fushë kemi me dhënë maksimumin në këtë lojë dhe do të mundohemi me e arrit’ rezultatin,” ka thënë shtatëlarti i sulmit të Kosovës, që ka shënuar golin fluturimthi ndaj Çekisë si mysafir.

Në anën tjetër, Nuhiut i është bërë pyetja edhe për mungesat e rëndësishme që ka Kosova si Muriqi, Milot Rashica, Amir Rrahmani.

“Normal që janë mungesa të rëndësishme për ekipin. Por, tash ne duhet zëvendësuar ata. Secili ka detyrën e vetë dhe do të mundohemi që të kryejmë detyrën e parashtruar për të shkuar drejt fitores,” ka përfunduar Nuhiu.

Maqedonia Veriore - Kosova zhvillohet më 8 tetor 2020 me fillim prej orës 20:45 në Tose Proeski Arena të Shkupit.

Fituesi i ndeshjes siguron finalen e PlayOffit, ku do të përballet ndaj fituesit të përballjes Gjeorgjia - Bjellorusia më 12 nëntor 2020, në ndeshjen që siguron biletën për EURO 2020.


 
Të gjitha lajmet nga