Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

ANALIZA E NDESHJES

Jo 2020, shpresojmë 2024

Jo 2020, shpresojmë 2024


Shkruan: LUAN MORINA

8 October, 2020 @23:14

Me fjalët e Rufus Ulërimsit, “Këto janë kohë të vështira, padyshim”, mund të përshkruajmë gjithçka që ka ndodhur këtë vit.

Sonte, ishim të dobët. Të dobët ishin edhe ata. Por, prapë, më të dobët ishim ne. E donim fitoren më shumë në zemër e në kokë se sa në fushë. Nuk kishte një lidhje, nuk ishim ekip.

Ndoshta nga dëshira e madhe për të arritur një hap më afër kampionatit evropian, të dy ekipet treguan futboll amator deri në shënimin e golit të parë. Njëjtë vazhdoi edhe pjesa e mbetur e gjysmëlojës së parë, dhe pastaj u rehatuan të dy palët!

Ne nuk ishim në gjendje të krijonim një rast të mirë, as me zëvendësimet e lojtarëve, për shkak se 3-4-1-2shi i Maqedonasve verior është formacion fatal kundër 4-2-3-1shit tonë.

Megjithatë, mendoj që Challandes bën mirë që nuk eksperimenton me formacion, dhe ngjashëm bëri edhe sonte. Mendoj që me një mesfushor defensiv shtesë do ta kishim më lehtë të sulmonim.

Më lehtë do të ishte sikur Celina e Nuhiu të kishin një lidhje më të mirë, por qysh në fillim dështuan të krijonin këtë, dhe pastaj kundërshtarët u kujdesën që mos të ndodhte as më pas kjo.

Tre mbrojtësit qendror ruanin Nuhiun, e edhe më lehtë Rashanin. Ne dështuam të dyfishonim krahët në sulm, kryesisht nga frika për lejimin e hapësirës në mbrojtje ku Pandev edhe Nestorovski vazhdimisht ishin duke bërë presion mbi Alitin e Dresheviqin.

Gjithë çfarë provuam ishin disa tentime për të krijuar hapësirë në krahët e sulmit, me aksione vetjake që rezultuan me një goditje të mirë të Zenelit nga një pozitë e vështirë, dy aksione të Kastratit e Zhegrovës që shkuan një hap më shumë se që duhej me driblime. Një rast i mirë na u shfaq në fund, por…

Asnjëri ekip nuk bënte lojë ekipore, dhe rrallë ndonjë aksion që kishte më shumë se tri pasime të sakta. Të tre golat ranë nga gabime të kundërshtarëve, gabime amatore që nuk meritojnë të ndodhin në një kampionat evropian. Asnjëra nga dy ekipet, me këtë lojë nuk meritojnë kualifikimin, por megjithatë, do të doja që kundërshtari ynë i sotëm të kalojë në Tbilisi, me shpresën që do të jetë një inspirim për zhvillimin e mëtejmë regjional të futbollit.

Me mungesa të shumta, me formacione të arnuara, pa përkrahje nga tribunat, pa dyshim, nuk ishte e lehtë. Nuk është një kohë e lehtë.

Uroj që kjo të jetë loja më e keqe që do ta bëjmë për shumë kohë. Mbetja në Ligën C dhe mundësia për të pasur një short më të lehtë për kualifikimet e radhës duhet të shihet prioritet.

Mbi të gjitha, rekrutimi nuk duhet të përdoret për pikë politike as nga krerët e federatës, as nga lojtarët që dëshirojnë të bëjnë presion tek vendet tjera. Kosova duhet të ketë dyert hapur për të gjithë që duan të veshin këtë fanellë. Nuk jemi ekip të keq, përkundrazi, kemi një ekip me moshë olimpike që me Challandes mund të zhvillohet për mrekulli. Vetëm edhe lojtarët duhet më shumë të përqendrohen në Kosovën se sa në ekipet e tyre!


 
Të gjitha lajmet nga