Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

BALLKANI - LLAPI

Kacafytje, përjashtime e ankesa - Ballkani mbetet lider

Kacafytje, përjashtime e ankesa - Ballkani mbetet lider


28 April, 2021 @17:09

Ndeshja kryesore e ditës së sotme në Superligë u zhvillua në Suharekë, ku Ballkani luajti në shtëpi ndaj Llapit.

Ky takim në fund u mbyll me rezultat 1-0 (Blend Baftiu 31’), ndërkohë që ndeshja ishte shumë e tensionuar, e sidomos pjesa e parë.

Rreth minutës së 35’, situata eskaloi pas një ndërhyrjeje të Arbnor Ramadanit të Llapit ndaj Kushtrim Gashit të Ballkanit. Pas ndërhyrjes në fjalë, pasoi një kacafytje mes dy skuadrave, dhe në rrëmujë u përfshinë futbollistët në fushë e bashkë me ta edhe zyrtarët e klubeve përkatëse nga banka rezervë, para se gjithçka të mbyllej me dy kartonë të kuq, një për Ballkanin e një për Llapin. Nga skuadra suharekase u përjashtua Kushtrim Gashi, kurse nga mysafirët u përjashtua Ahmed Januzi.

Para rastit të lartpërmendur, golin për Ballkanin e kishte shënuar Blend Baftiu (31’) i asistuar nga Armend Thaqi, gol me të cilin Ballkani shkoi në pushim me epërsi minimale.

TABELA AKTUALE

Goli i Baftiut në pjesën e parë në fund doli të ishte i mjaftueshëm që Ballkani ta mbyllë ndeshjen me 3 pikë të fituara dhe kështu ta ruajë kreun, kurse Llapi, që për synim e ka suksesin në Kupë, ndodhet i qetë në mesin e tabelës.

Gjithashtu, nga ky takim vlen të përmendet edhe penalltia e kërkuar vrullshëm nga Llapi në momentet e fundit të ndeshjes, penallti e cila nuk u akordua përkundër protestave të shumta të mysafirëve.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga