DITARI RUS (22)
Kampionët e Botës
Shkruan: LUAN MORINA
16 July, 2018 @23:09
Kampionët e rinj të Botës janë ekipi me lojtarët më cilësor në botë. Por, a është ekipi me lojën më të mirë edhe ekipi më i mirë? A ka ekipe që kanë bërë lojë më të mirë se Franca në këtë Kupë të Botës? Për mua, francezët kanë bërë futboll të mirë ndoshta në dy ndeshje vetëm – me Argjentinën dhe në finale me Kroacinë! Të tjerat ndeshje kanë qenë më shumë llogaritje që kanë ngjarë ndoshta në lojë shahu.
Por, Franca është kampione, dhe me çfarë llogaritje kanë arritur aty, nuk bëhet shumëkush merak! Edhe s’duhet të bëhet! Deschamps bëhet personi i tretë që fiton Kupën e Botës edhe si lojtar edhe si trajner. I pari ka qenë Zagallo, i dyti Beckenbauer. Deschamps mund të konkurrojë me gjermanin pasi ekipet e të dyve kanë fituar Kupën jo me futboll aq atraktiv.
Kjo Francë është dashur të ishte edhe kampione Evrope. Dhe do të ishte sikur Deschamps të shfaqte më shumë guxim, dhe sikur portugezët të kishin pasur 90 minuta më shumë të kaluara në terren. Kanë një nga kombinimet më të mira në botë në qendër të mbrojtjes. Hugo Lloris përkundër nja dy gabimeve në këtë garë, është ndër portierët më të mirë në botë. Pavard nga qendërmbrojtësi është adaptuar mirë në krahun e djathtë. Për mesfushën s’kemi çka të shtojmë. As për krahët e sulmit. Një qendërsulmues më i mirë, dhe ec e ndali!
Në anën tjetër, kroatët bën maksimumin. Ishin sikur francezët, veçse me një ndeshje të vetme të mirë. Të shkosh në vazhdime kundër Danimarkës, Rusisë, e Anglisë, nuk është rrugë kampioni. Franca e Belgjika kishin përfunduar punët në 90 minuta, edhe atë kundër Argjentinës e Brazilit. Janë të vetëdijshëm që kanë arritur maksimumin që mund të arrijë një kombëtare që preket në Ballkan!
Një kombëtare nga një Federatë futbolli e zhytur në skandale krimi sportiv, me një kryetar federate të kontestuar, futbollistë të akuzuar për dëshmi të rrejshme/ndryshim dëshmish, ka bërë më shumë se që do të duhej të bënte! S’duhet të mos përmendim edhe lojën më agresive që kanë pasur në këtë garë, edhe pse kjo mund të mos dëshmohet në statistika, falë Cuneyt Çakirit më së shumti!
Një finale klasike me shumë gola, e para që nga viti 1986 ku shënojnë të dy ekipet nga së paku dy gola, me totalin më shumë se tre gola. Dy të fundit kanë qenë të mërzitshme, me vetëm nga një gol në vazhdime. Një finale që nuk e kemi pritur të ketë këto dy kombëtare, e këtë lojë që e shfaqën të dyja.