ËNDRRA E BERSANTIT
Kapiteni i Kosovës në Botëror
1 October, 2016 @10:20
Në një intervistë për faqen zyrtare të FIFA-së, sulmuesi i Twentes dhe i përfaqësueses së Kosovës, Bersant Celina, ka bërë të ditur se dëshiron që një ditë të jetë kapiten i Kosovës në Kampionatin Botëror.
“Ambicia kryesore e imja është që të jem kapiten i Kosovës në një Kampionat Botëror,” - ka thënë Celina për FIFA.com ndër të tjera.
Celina në këtë artikull ka shpjeguar rëndësinë e pranimit të Kosovës, vuajtjet e lojtarëve kosovarë që nuk kanë pasur të drejtë loje në gara ndërkombëtare dhe mbarëvajtjen e karrierës së tij.
Sa i përket këtyre kualifikimeve, Celina është treguar ambicioz përsëri.
“Grupi është shumë i vështirë. Qëllimi im është të kualifikohemi, asgjë tjetër. Duhet të hymë në çdo ndeshje me 100%-shin tonë dhe asnjëherë nuk dihet çka ndodh aty. Në futboll, gjithçka mund të ndodh dhe unë besoj që mundemi,” ka thënë Celina.