DRITA-GJILANI
Koha shtesë, shndërrohet në festë për Gjilanin
30 September, 2016 @16:41
Derbi më i nxehtë në vend, ai ndërmjet Dritës dhe Gjilanit, ka përfunduar me fitoren e Gjilanit me rezultat minimal 0-1.
Ndeshja filloi në atmosferë fantastik të krijuar nga tifozët e Dritës, Intelektualët, dhe ata të Gjilanit, Skifterat, të cilët nuk u ndalën në asnjë çast gjatë ndeshjes.
Në pjesën e parë, tempoja ishte më e ulët, ndërsa skudrat luanin me kujdes të lartë, duke u munduar që mos të bëjnë gabime.
Për disa minuta ndeshja u ndërpre në minutën 30’, kur nga tribunat filluan të hudhen mjete piroteknike në fushë.
Tempoja e lojës filloi të rritej me fillimin e pjesës së dytë, ndërsa tentimet e para drejt portës i patën Egzon Shabani i Gjilanit dhe Alban Mavriqi i Dritës, të cilët megjithatë nuk ishin edhe aq të saktë sa për të shënuar.
Drita u mundua kryesisht ta kërkojë golin me gjuajtje nga distanca, ku rrezikonin portën kundërshtare me anë të Martin Bllazhevskit e Semir Zenelit, derisa Gjilani u mundua ta gjej rrugën e golit me anë të pasimeve të organizuara, por pa sukses.
Ndeshja u ndërpre edhe një herë në minutën 75’, kur tifozët e Dritës filluan të gjuajnë shishe në fushë, ndërsa situatën e tensionuar u mundua ta qetësojë kapiteni Erdin Hashani.
Në minutën 82’, trajneri i Gjilanit, Arbnor Morina u detyrua që ta përcjell ndeshjen nga tribunat, pasi vëzhguesi i ndeshjes e largoi atë nga banka për shkak të fyerjeve ndaj tij.
Këtë fakt nuk arriti ta shfrytëzojë Drita, madje punët e saj u vështirësuan edhe më shumë kur kapiteni Erdin Hashani u ndëshkua me karton të kuq në minutën 88’ dhe e la skuadrën e tij me një lojtar më pak.
Për shkak të ndërprerjeve të shpeshta, gjyqtari Genc Nuza dha 12 minuta lojë shtesë dhe pikërisht gjatë kësaj kohe edhe erdhi goli i shumëpritur, të cilin e shënoi futbollisti i Gjilanit, Ylber Kastrati duke goditur me kokë pas krosimit të Isa Eminhazirit nga gjuajtja e lirë.