FERIZAJ - DUKAGJINI
Karahoda e Dajaku, Ferizaj mposht rivalin direkt
24 November, 2019 @14:51
Në ndeshjen e vetme të ditës në Superligë, skuadra e Ferizajit ka arritur ta mposhtë me rezultat 2-0 skuadrën e Dukagjinit, rivalin direkt për mbijetesë, për t’ia thelluar këtij të fundit edhe më tepër krizën.
Skuadra e vetme që nuk di për barazim në Superligë sivjet serinë e golave e hapi përmes prizrenasit Fatih Karahoda (14’), i cili shënoi pas një akcioni të ndërtuar mirë nga Shala e Dajaku, derisa ishte pikërisht Taulant Dajaku ai që shënoi në minutën e 33’, për ta dyfishuar epërsinë e vendasve.
Më pas, që nga ai moment e deri në fund gola të tjerë nuk u shënuan dhe ndeshja u mbyll me rezultatin final 2-0.
Fitorja e arritur sot i jep shpresë për shpëtim Ferizajit, derisa Dukagjini rrezikon seriozisht rënien nga elita e futbollit kosovar.