UELLSI - DANIMARKA
Katërshja e parë në histori, për çerekfinale
26 June, 2021 @20:03
Danimarka ka shënuar për herë të parë në histori të EUROve 4 gola në një ndeshje, ndërsa me fitore 4-0 ndaj Uellsit ka siguruar çerekfinalen e parë që prej EURO 1992.
Kasper Dolberg shënoi dy golat e para për Danimarkën (27’,48’), derisa dy golat e tjera erdhën nga Joakim Maehle në minutën e 88’ dhe Martin Braithwaite 90+4’.
Danimarka gjithashtu u bë skuadra e parë që e kaloi grupin me 3 pikë e që kualifikohet në çerekfinale.
Emocionet e ndërthurura me rastin e Christian Eriksenit, si duket tashmë janë bërë forcë shtytëse e Danimarkës, ndërsa trajneri i tyre Kasper Hjulmand me strategjinë e tij, bëri që “vikingët” të dominojnë plotëisht ndeshjen.
Uellsi në anën tjetër me Gareth Bale jo në formë dhe mungesë vetëbesimi në përballje, nuk ishte as hija e ekipit që debutoi në evropianin e kaluar, me ç‘rast edhe u përshëndet nga EURO 2020.
Danezët në çerekfinale do të takohen me fituesin nga dueli Holanda - Republika Çeke.