VENDIMI I FBKs
KB Peja jashtë Superligës
16 August, 2018 @16:11
Superliga mbetet ka njërin nga kampionët e paktë të saj, KB Pejën. Sot, edhe përmes një komunikate zyrtare, FBK-ja ka bërë të ditur se KB Peja nuk ka shlyer asnjë obligim që i ngarkohej, përkundër dy afateve që i kishte dhe në konsultim me FIBAn, është marrë vendimi që KB Peja të mos regjistrohet si pjesëmarrëse për edicionin 2018/19 të Superligës.
“Por as të mërkurën (15 gusht 2018) në ora 17:00 në zyre të FBK-së, KB Peja nuk ka sjell dëshmi se i ka kryer të gjitha obligimet ndaj FIBA-s dhe FBK-së në mënyrë që skuadra në fjalë të regjistrohet për edicionin e ri garues,” shkruan komunikata e FBKs.
“Në këtë mënyrë Bordi i FBK-së konform Propozicioneve të Garave ka marr vendim që të mos e regjistroj KB Pejën për edicionin e ri garues, si dhe konform Statutit të FBK-së, anëtarësia e KB Peja në Federatën e Basketbollit të Kosovës do të mbetet e pezulluar derisa të përmbushjen të gjitha kushteve për pjesëmarrjen e saj në garat e FBK-së. Kështu KB Peja suspendohet dhe çregjistrohet nga çdo veprimtari në Federatën e Basketbollit të Kosovës,” ka shkruar ndër të tjera komunikata e FBK-së.
Peja i ka disa lëndë të humbura me obligime në BAT (tribunali i arbitrazhit basketbollistik). Fred House; Arsic, M. Austin dhe Smith - këta në një lëndë; dhe gjoba prej 5 mijë frangave.
Shifra e këtyre borxheve kalon 150 mijë eurot.
“Në letrën e dërguar nga Zyra Ligjore e FIBA-s më 10 prill 2018 tek Federata e Basketbollit të Kosovës, është bërë shumë e qartë se nëse FBK nuk pozicionohet dhe nuk ndërrmerr masa për çështjen e KB Peja, atëherë FIBA do të jetë ajo që do të vendos sanksione ndaj FBK-së,” ka bërë të ditur FBK-ja gjithashtu.
“Po ashtu Zyra Ligjore e FIBA-s ia ka bërë të qartë se nëse KB Peja nuk i kryen obligimet ndaj FIBA-s deri në afatin e regjistrimit të caktuar nga FBK, atëherë do të jetë Federata e Basketbollit të Kosovës që automatikisht do të sanksionohet nga FIBA,” ka sqaruar FBK-ja.
Në ndërkohë FBK ka bërë të ditur se për vendin e zbrazët për shkak të mosregjistrimit të KB Pejës për edicionin 2018/19 hap konkurs me WildCard për pjesëmarrje.
Në anën tjetër, Koha ditore ka publikuar edhe deklaratën e Art Gashit, kryetarit të fundit të Pejës.
“Për mua kjo është është dashur të jetë çështje e mbyllur. Nuk e kuptoj formën e zvarritjes që po bën Federata. Federatës i është shpjeguar që KB Peja nuk do të marrë dënime në vazhdimësi, sepse kusht për të mos marrë dënime është lidhja e marrëveshjeve me lojtarë, gjë që jemi duke bërë dhe jemi shumë afër ta përfundojmë. Gjithë ata e kanë njoftuar FIBAn që janë në negociata dhe janë nënshkruar dy marrëveshje dhe e vetmja pjesë të negociohet ka mbetur pjesa e fundit e parapagesës që duhet të bëhet. FIBA ka konfirmuar gjithashtu që një pjesë të pagohet menjëherë dhe pjesa tjetër të bëhet me këste, që të na lehtësojë edhe neve. Ndërsa federata prapë nuk vazhdon regjistrimin e klubit,” ka thënë Gashi për gazetën në fjalë.
“Duhet të kuptohet termi obligim. Nëse nënshkruajmë obligim për ta paguar borxhin për 15 muaj dhe e kam paguar këstin e parë, unë nuk kam obligim ndaj askujt deri në muajin tjetër. Unë jam në rregull. Pala paditëse ka pranuar që borxhi të shlyhet me këste dhe nuk kuptoj pse Federata vazhdon të zvarrisë me këtë çështje,” ka thënë Gashi.
KB Peja është themeluar si klub në vitin 1993 dhe ka qenë njëri ndër klubet më të suksesesshme në historinë e basketbollit të pavarur të Kosovës.