LEDIAN MEMUSHAJ
Kemi më shumë se një kapiten, shiriti nuk është me rëndësi
30 August, 2016 @15:13
Së bashku me Mërgim Mavrajn, në konferencën e sotme të kombëtares shqiptare ishte edhe mesfushori i suksesshëm i Pescaras, Ledian Memushaj.
Memushaj, i cili është kapiten i skuadrës së tij, u ndal te shiriti i kapitenit te kombëtarja shqiptare, të cilin ende nuk dihet se kush do ta mbaj në ndeshjet e ardhshme, pasi kapiteni i deritashëm, Lorik Cana, vendosi të penzionohet nga kombëtarja.
“Besoj se s’është e rëndësishme kush e merr shiritin e kapitenit. Unë jam kapiten te Pescara dhe nuk e ndiej veten kapiten. Ndiej se unë së bashku me shokët e mi, të gjithë jemi të rëndësishëm dhe kjo kombëtare besoj se ka më shumë se një kapiten dhe kush e merr shiritin nuk është e rëndësishme.”
Memushaj foli edhe për dy ndeshjet e radhës, përkatësisht kundër Marokut dhe Maqedonisë, duke thënë se miqësorja do të shërbejë për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjen kualifikuese me Maqedoninë.
“Duhet të harrojmë atë që e kemi bërë përpara. Tani fillon një kompeticion i ri dhe me këtë miqësore duhet të përgatitemi sa më mirë për ndeshjen me Maqedoninë. Do të na duhen edhe ata që kanë luajtur më pak në skuadrat e tyre dhe të përgatitemi sa më mirë për ndeshjen e rëndësishme që do ta kemi me Maqedoninë.”