PËRFAQËSUESJA
Kosova U19 përmbyll grumbullimin pesëditor me fitore bindëse
Teksti: FFK
12 February, 2017 @19:20
Përfaqësuesja U-19 e ka përmbyllur sot grumbullimin pesëditor në Ulqin. Në ditën e fundit djelmoshat e Ramiz Krasniqit e kanë zhvilluar një ndeshje testuese me skuadrën e kadetëve të Otrantos, të cilën e kanë fituar me rezultat 11:0, e të cilën nga afër e ka përcjellë edhe nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi.
Përfaqësuesja U-19 në këtë ndeshje mbizotëroi plotësisht pasi ekipi kundërshtar nuk ishte në nivelin e djelmoshave tanë.
Golat në këtë ndeshje i shënuan Asan Krasniqi (3), Leutrim Kryeziu (2), Altrim Pajaziti (2), Lirim Kastrati (2), Ehat Gjoka dhe Otrant Kastrati.
Ky grumbullim u ka shërbyer trajnerëve të përfaqësueses për t’i parë vlerat e secilit individ, derisa për futbollistët ka qenë i mirëseardhur për faktin se tashmë kanë filluar ta njohin njëri-tjetrin, ngase ky ishte kampi i tyre i parë së bashku.
Fatmirësisht gjatë këtij grumbullimi asnjë prej futbollistëve nuk ka pësuar lëndime, me gjithë faktin se në dy ndeshjet e para testuese skuadrat rivale kanë qenë paksa të ashpra në lojë.
Përzgjedhësi Ramiz Krasniqi në përmbyllje të këtij kampi është shprehur i kënaqur me punën dhe përkushtimin e futbollistëve, duke shprehur shpresën se me një ose dy grumbullime të tilla ekipi do të jetë i komponuar për sfidat e ardhshme në kuadër të kualifikimeve për Euro 2019, ku bën pjesë në grup me Austrinë, Lituaninë dhe Izraelin.