Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PARA NDESHJES SË PARË

Kosova U21, hyrja falas, lojtarët kërkojnë përkrahjen e “Dardanëve”

Foto: FFK

Kosova U21, hyrja falas, lojtarët kërkojnë përkrahjen e “Dardanëve”


Teksti: FFK

19 June, 2023 @15:17

Energji pozitive po vazhdon të mbretërojë në Kombëtaren U21. Dardanët e rinj, si asnjëherë tjetër po përgatiten që të shënojnë rezultat pozitiv në ndeshjen e parë kualifikuese që e zhvillojnë kundër Estonisë, të martën, në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Kosova U21 e ka ekipin e kompletuar i cili përbëhet nga futbollistë vendor dhe ata të ardhur nga skuadrat evropiane, të cilët janë komponuar dhe përgatitur mirë për të shënuar fitore në ndeshjen e parë drejt Evropianit 2024.
Përgatitjet e deritashme kanë shkuar për së mbari dhe si rrjedhojë, përzgjedhësi Tovërlani ka bindje të mira për takimin e 20 qershorit.
Ai pas stërvitjes së sotme tha se problemi i vetëm ka qenë moti jo i mirë por kjo nuk i ka penguar të realizojnë të gjitha përgatitjet e tyre dhe shpreson që të martën përveç punës dhe përkushtimit të kenë edhe fatin në anën e tyre.
Nga ana tjetër Besfort Zeneli pohoi se atmosfera është shumë e mirë dhe se do të japin maksimumin kundër Estonisë.
Etnik Brruti kërkoi përkrahjen e Dardanëve, teksa theksoi se në “Fadil Vokrri” do të luajnë për fitore.
Kosova U21 – Estonia U21 zhvillohet të martën nga ora 20:00, derisa hyrja për të gjithë tifozët do të jetë falas.

Përndryshe, Kosova U21 është në Grupin D kualifikues për në EURO 2025 që do të mbahet në Sllovaki. Pos reprezentacionit të Estonisë me të cilët luhet nesër dhe janë më të dobëtit në grup (për kah renditja në short) skuadrat tjera në grup janë Bullgaria, Gjermania, Izraeli dhe Polonia. Kjo është ndeshja e vetme në grup që luhet në qershor, ndërsa duelet tjera luhen prej shtatorit, ku radhazi Kosova i shkon Polonisë, pret Gjermaninë, ndërsa në nëntor shpresat dardane udhëtojnë në Bullgari. ◼️


 
Të gjitha lajmet nga