Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

GJILANI - PRISHTINA

Kryendeshja e xhiros i takon Gjilanit, Prishtina “distancohet” me kreun

Foto: SC Gjilani

Kryendeshja e xhiros i takon Gjilanit, Prishtina “distancohet” me kreun


8 July, 2020 @18:58

Prishtina bie në Gjilan!

Në ndeshjen ndaj një prej kundërshtarëve direkt për titullin kampion, Prishtina është mposhtur 2-1 (Franc Veliu 53’, Gerhard Progni 65’ / Armend Thaqi 80’) nga Gjilani vendas, për ta bërë kështu një hap të madh prapa sa i përket luftës për titull.

Në pjesën e parë që u mbyll pa gola, portën vendase e rrezikoi seriozisht dy herë sulmuesi Oto John, kurse më i rrezikshmi te gjilanasit u shfaq Armend Halili, gjuajtjen e të cilit në minutën e 14’ e priti Visar Bekaj. Në mesin e pjesës së parë, Gjilani humbi Muhamed Useinin, i cili u detyrua të largohet nga loja për shkak të lëndimit. Ai u zëvendësua nga Kushtrim Shabani.

TABELA AKTUALE

Pjesa e dytë filloi furishëm!

Katër minuta pas fillimit të pjesës së dytë, portieri Visar Bekaj i kryeqytetasve u përjashtua nga loja pas kartonit direkt të kuq, përjashtim që do të sjellë shumë diskutime, për ta lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë në fushë.

E këtë e shfrytëzoi maksimalisht skuadra e Gjilanit, që golin e gjeti 4 minuta më pas, me Franc Veliun (53’) që shënoi nga gjuajtja e lirë për 1-0. Pak minuta më vonë, dyfishimin e epërsisë Gjilanit ia dha Gerhard Progni, që në minutën e 65’ shënoi për 2-0.

Megjithatë, përkundër inferioritetit numerik në fushë, Prishtina nuk u dorëzua dhe përmes Armend Thaqit, ish-lojtar i Gjilanit, e ngushtoi epërsinë në 2-1 (80’), por për fatin e keq të kryeqytetasve, kjo ishte e tëra që ata mund të bënin. Epërsia e vendasve u ruajt deri në fund dhe ndeshja u mbyll me rezultatin final 2-1.

Fitorja e sotme e Gjilanit bën që Prishtina të bie në vendin e katërt dhe shpresat për titull te kryeqytetasit fillojnë të “zbehen”, kurse Gjilani, tashmë mbi Prishtinën, është në pritje të gabimeve të Dritës, me të cilën ka edhe një përballje direkte në javët në vazhdim.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga