PARA DUELIT
Kukësi i gatshëm për të shkuar tutje
17 July, 2017 @22:25
Kukësi është gati. Përgatitjet e fundit është duke i bërë në kompleksin Skënder Halili, ndërsa trajneri Ernest Gjoka ka parë që kërkesa e tij për stërvitje në stadium me bar natyral është plotësuar nga drejtuesit e klubit.
Të mërkurën mbrëma në Elbasan Arena, Kukësi pret kampionin e Molldavisë, Sheriff Tiraspol dhe do të kërkojë përmbysjen e rezultatit 1-0, me të cilën kishin humbur përballjen atje.
Ai nuk ka bërë të ditur shumë detaje nga taktika që do të përdorë në këtë ndeshje, por ajo që është parë nga afër ka qenë se lojtarët janë përgatitur mirë fizikisht, derisa klima ka qenë pozitive në ekip.
“Ekipi kërkon maksimumin,” ka qenë ajo që është dëgjuar më së shumti në përgatitje, derisa gjithçka pritet të nis në 19:30 në Elbasan të mërkurën, kur ekipi duhet që të bëj krejt atë në fushë, për të kaluar në fazën kualifikuese të radhës në Ligë të Kampionëve.
E shpërblimi për Kukësin është i madh. Kampionët e kaltër nga verilindja e Shqipërisë në rast të kalimit të këtij raundi do të sigurojnë në arkën e klubit, 1.2 milionë euro nga UEFA-ja, sipas të ardhurave që ndan shtëpia europiane e futbollit.