SOKOL CIKALLESHI PREMTON
Ky është vetëm fillimi
16 November, 2015 @23:15
Sulmuesi i kombëtares shqiptare që këtë verë kaloi nga Spliti kroat në Istanbul Basaksehir, Sokol Cikalleshi, nuk ka fshehur gëzimin pas golit të parë të tij me kuqezinjtë.
“Ky është vetëm fillimi. Në Francë do të jap shpritin në fushë që zemra e çdo shqiptari të bëhet mal,” ka shkruar Cikalleshi në faqen zyrtare të Facebookut, pas golit të tij, që shpëtoi Shqipërinë nga humbja në përballje ndaj Gjeorgjisë sonte.
Sokol Cikalleshi është emërtuar me noftën Mr. Shtylla gjatë kualifikimeve për EURO 2016 pasi që qëlloi disa herë shtyllën përgjatë kualifikimeve dhe assesi të gjente golin përkundër mundit të madh dhe vrapimeve kilometërshe në fushë.
Sidoqoftë, puna sjell suksesin dhe Sokoli e arriti këtë sonte në përballjen miqësore ndaj Gjeorgjisë, kur me një gol tepër të bukur barazoi rezultatin 2-2 në sekondat e fundit të ndeshjes për të shpëtuar kuqezinjtë nga humbja.