THIERRY HENRY
Lë TV-në, fokusohet për trajner
16 July, 2018 @22:19
Sulmuesi legjendar i Francës dhe i Arsenalit e Barcelonës, Thierry Henry, ka bërë të ditur sot se nuk do të punojë për Sky Sportsin si analist i ndeshjeve të Premier Ligës.
Ai ka treguar se tash e tutje do të fokusohet në ambicien e tij të kahershme, të të qenit trajner i ndonjë ekipi të futbollit.
Henry punoi si ndihmës trajner i Belgjikës në Botërorin Rusia 2018, duke e marrë këtë detyrë që nga 2016-a.
Ai ka punuar në ndërkohë edhe për Sky-in që nga dhjetori i vitit 2014, kur u tërhoq përfundimisht nga futbolli.
Henry 40 vjeç, është golashënuesi më i mirë i Arsenalit në histori. Ai ka shënuar 228 gola në të gjitha garat për ekipin londinez. Ka fituar dy tituj të Premier Ligës dhe dy FA Kupa. Ai ka fituar edhe Ligën e Kampionëve me Barcelonën si dhe 2 tituj të La Ligas me katalonasit.
Me Francën ka fituar titullin e Botës në 1998 si dhe atë të Europës në 2000.