DY TROFE RADHAZI
Leipzig mbron trofeun e Kupës së Gjermanisë
3 June, 2023 @22:53
Katër finale në pesë stinorët e fundit dhe dy trofe të fituara, derisa Leipzig me triumf të sotëm në Berlin ndaj Eintrachtit, ka mbrojtur trofeun e Kupës së Gjermanisë, pas fitores 2-0 [Nkunku 71’, Szaboszlai 85’] në finale të ardhur vonë në pjesë të dytë me golat e Christofer Nkunku dhe Dominik Szaboszlai.
Mario Götze i frankfurtasve, kishte një super mundësi për të shënuar në minutën e 64 të ndeshjes, por topi i tij i goditur fort nga zona në volej, u mbrojt nga portieri Janis Blaswich. Ky edhe ishte rasti i fundit serioz që kishte Eintracht në ndeshje, që tentoi edhe në pjesë të parë përmes francezit të ri Randal Kolo Muani.
Në përgjithësi, periudhën e fundit të ndeshjes Leipzig e dominoi plotësisht si me posedim ashtu edhe me raste, pas së cilave edhe rrodhën golat, kur Nkunku në ndeshjen e fundit të tij me Leipzigun pos golit të shënuar (me devijim) duke i ikur mençur ofsajdit, ka asistuar në golin e dytë për ekipin e trajnerit Marco Rose, derisa klubi mbrojti trofeun e fituar edhe në stinorin e kaluar.
Kliko X për të larguar reklamën dhe për t’i parë #highlights Leipzig - Eintracht