UEFA FUTSAL CUP MAIN ROUND

Liburni mposhtet dhe eliminohet nga ‘Main Round’
13 October, 2017 @21:56
Pas fitores në duelin e parë ndaj kampionit të Francës mbrëmë, Liburni ka pësuar humbje nga skuadra nikoqire e turneut, Nacional Zagreb, në duelin e dytë në kuadër të UEFA Futsal Cup - Main Round.
Të ndikuar edhe nga lodhja për shkak të ndeshjes së luajtur mbrëmë, gjakovarët sonte u mposhtën me rezultat 8-4, në një takim që u dominua nga vendasit, ndërsa i vetmi moment i barabartë mes skuadrave ishte kur rezultati shënonte 1-1 në mesin e pjesës së parë, e në pjesën tjetër të takimit epërsia ishte në anën e kroatëve, edhe pse jo vazhdimisht e thellë siç tregon rezultati përfundimtar, pasi që golat e fundit të vendasve u shënuan në minutat e fundit, kur Liburni luante me 5 lojtarë të avancuar, siç zakonisht ndodh në futsall kur skuadra është në disavantazh. Sa i përket golave, golashënues për Liburnin sonte ishte Mentor Mejzini me 2 gola dhe Arbër Dobroshi e Narcis Alibegu me nga 1.
Kjo humbje bën që Liburni të eliminohet nga ‘Main Round’ dhe mos ta arrijë kualifikimin për në ‘Elite Round’, pasi që siç dihet, nga grupi i Liburnit, që është një nga grupet e nivelit B, kualifikohet vetëm lideri i grupit, në këtë rast skuadra e Nacional Zagrebit.
Në takimin e fundit, që zhvillohet më 15 tetor, Liburni luan ndaj kampionit të Armenisë, Leo FC, dhe një fitore eventuale në atë takim do të bënte që Liburni ta mbyllë këtë kampionat mes 20-25 skuadrave më të mira në Evropë, një arritje e ngjajshme me atë të Feniksit në edicionin e kaluar të kësaj gare dhe natyrisht një arritje për t’u duartrokitur e futsallit kosovar në garat ndërkombëtare.
GRUPI 5
1 | NACIONAL ZAGREB FC | 2 ndeshje | 6 pikë | |
2 | FC LIBURN | 2 ndeshje | 3 pikë | |
3 | ASC GARGES DJIBSON | 2 ndeshje | 1 pikë | |
4 | LEO FC | 2 ndeshje | 1 pikë |