LIRIA

Liria drejt privatizimit, miratohet propozimi në Kuvend
20 June, 2021 @16:32
Skuadra e Lirisë së Prizrenit të shtunën ka mbajtur mbledhjen e Kuvendit të Punës, ku ndër tjerash është shqyrtuar edhe propozimi për dhënien e klubit në menaxhim privat.
Në komunikatën e klubit bardhezi, thuhet se propozimi për privatizim është iniciuar nga kryetari i klubit, Qemal Krasniqi, i cili e ka cilësuar këtë si një vendim të nevojshëm marrë parasysh rezultateve të dobëta dhe mosfunksionimit në mënyrë të duhur të klubit.
Ai po ashtu bërë të ditur se për udhëheqjen e klubit tashmë ka shprehur interesim një afarist gjerman.
Propozimi për privatizim u votua unanimisht nga anëtarët e Kuvendit, duke e hapur rrugën kështu ndjekjes së procedurave të mëtutjeshme.
Për këtë, Kuvendi caktoi një komision nga bordi aktual dhe tre anëtarë të Kuvendit (që me votë morën mbështetjen në Kuvend), të cilët u autorizuan me kompetenca të plota për arritjen e marrëveshjes dhe ndjekjen e procedurave ligjore, bashkë me zyrtarë nga Komuna, me të interesuar potencial, për privatizimin e klubit.