PRIZREN
Liria përforcohet me namibianin Megameno
4 October, 2022 @16:16
Futbollisti namibian, Petrus Megameno, është lojtar i ri i Lirisë, ka bërë të ditur klubi prizrenas pak më parë, përmes një njoftimi të lëshuar në faqen zyrtare të ekipit në Facebook.
Sipas njoftimit, Megameno ka arritur nga skuadra Blue Water e Namibisë, ndërsa është anëtar i kombëtares së këtij vendi, ndërsa është anësor i majtë, ku pos mbrojtjes kaplon edhe mesfushën në atë krah.
Liria ka kapur formë të mirë së fundi në Ligën e Parë Grupi A, duke shënuar tri fitore radhazi pas startit jo të mirë të kampionatit.
Ndërsa vetë 22-vjeçari për faqen zyrtare ka thënë se është i kënaqur me marrëveshjen e arritur.
“Bashkëvendasi im Prins Tijueza më ka folur për ekipin dhe futbollin këtu. Shpresoj t’i arrij objektivat me Lirinë, ndërsa jam i lumtur që do të jemi bashkë me të në një skuadër,” ka thënë Megameno.
Liria në xhiron që vjen takohet me skuadrën lidere, Feronikeli’74, që aktualisht është lider i kampionatit, ndërsa drejtohet nga ish-trajneri i bardhezinjëve Granit Begolli.