DRITA-DRENICA
Livoreka sjell fitoren e parë për Dritën në pranverë
12 March, 2017 @15:02
Drita ka arritur të shënojë fitoren e parë pranverore sot në Superligë, duke e mposhtur Drenicën 2-1 në Gjilan. Kjo ka qenë fitorja e parë e Dritës, që po kërkon daljen nga zona e Play-Outit pas pushimit dimëror.
Golin e fitore për bardhekaltërit nga Gjilani e ka shënuar përforcimi dimëror, Përparim Livoreka, i njejti, që e kishte shpëtuar nga humbja ekipin në derbi ndaj Gjilanit disa xhiro më parë.
Drita erdhi në epërsi në fillim të takimit, kur Semir Zeneli shënoi për 1-0. Mirëpo me të filluar pjesa e dytë, sulmuesi më i mirë i Drenicës, Granit Arifaj barazoi, 1-1.
Sidoqoftë, Drita gjeti atë që kërkoi përmes Livorekës për të fituar tre pikëshin e parë pranveror dhe për të shtuar gjasat për dalje nga zona e rrezikshme.
Pas 21 xhirove, Drita ka 18 pikë, ndërsa Drenica 22. Në xhiron e radhës, Drita i shkon Prishtinës, derisa Drenica pret Llapin.