BALLKANI 1-4 LLAPI
Llapi ikë nga zona e rrezikshme me fitore të thellë ndaj kampionit
10 November, 2022 @15:33
Kampioni ka rënë për të dytën herë këtë stinor, ndërsa triumfues ka qenë Llapi, që iu kthye fitores në Superligë pas disfatës së papritur nga Ferizaji në xhiron e kaluar.
Llapi ka shkëlqyer sot, ndërsa Francisco Rivera ka qenë në element, duke shënuar dy herë për të vulosur ndedshjen në fitoren e thellë, Ballkani 1-4 Llapi [Lumbardh Dellova 90+2 - Fernandinho 7, Francisco Rivera 36, 77, Gerhard Progni 90].
Ballkani kishte disa tentime në lojë përkundër epërsisë së hershme të llapjanëve, por ka qenë portieri Ilir Avdyli që ka mbrojtur gjithcka që vinte nga ekipi suharekasit. Meriton Korenica (25’) dhe Edvin Kuc (36’) tentuan në pjesë të parë, ndërsa në pjesë të dytë përsëri Korenica (57’) dhe pas tij edhe Albion Rrahmani (69’) nuk kanë arritur të bëjnë më shumë.
E kur Llapi bëri rezultatin 0-4 përmes një goli nga gjuajtja e lirë e Gerhard Prognit, ka qenë Lumbardh Dellova i Ballkanit që realizoi në kohën shtesë për përfundimtaren, 1-4.
Llapi me 15 ndeshje të zhvilluara ka 19 pikë dhe është në pozitë të pestë sot, pas fitores së arritur, pasi që dje qëndronte në zonë të rrezikshme, ndërsa Ballkani me tri ndeshje më pak se lideri Drita, ka 27 pikë, 5 më pak se liderja.