REAGON KF LLAPI

Llapi reagon ndaj ndihmës së FFK-së
10 April, 2020 @20:31
Skuadra e Llapit të Podujevës ka reaguar pas vendimit të FFK-së për ndarjen e ndihmës për pjesën më të madhe të punonjësve futbollistik në vend.
Llapi që ka mbetur në pozitën e gjashtë të renditjes tabelare para se të ndalet stinori për shkak të pandemisë coronavirus, në komunikatën e lëshuar ka shkruar se shuma s’mjafton as për pagesën e qirasë së lojtarëve e lëre më për paga mujore!
Në reagimin e nënshkruar në Facebook ka kryetari i klubit të Podujevës Beqir Batanina është thënë se janë të shqetësuar me këtë ndarje të pakos.
“Duke e ditur se në çfarë gjendje jemi dhe ndahen nga 350 euro për lojtarë, nuk e dimë se çfarë do të bëjmë ne për skuadrën e Llapit duke e ditur se është një pako që as shpenzimet e qirasë nuk i mbulon për lojtarët e tanë e lëre më për paga mujore.
Kërkojmë nga të gjitha klubet të jemi një zëri e të reagojmë sepse kjo shumë e të hollave është e pa pranueshme për klubet e Superligës duke e ditur se tash e 3 vite radhazi nuk na shpërndahen mjetet e solidaritetit të UEFA-s për klube të Superligës dhe Ligës së Parë, shuma e të cilave është 2 milon e 400 mijë euro, ndërsa kjo shumë e ndarë është sa për sy e faqe apo më mirë për të thënë në gjuhën popullore: hi syve!
Ky është turpi i radhës i atyre që e menaxhojnë në FFK, e cila tregon më së miri se sa mendojnë ata për të mirën e futbollit tonë.
Është për tu çuditur se si ndërtohen fusha sportive për klubet që nuk funksionojnë me djersën e investitorëve të klubeve të Superligës, kurse ne dëmtohemi dhe neglizhohemi nga ata që po e udhëheqin futbollin tonë.
Nuk po dëshirojmë ndihma nga FFK por vetëm mjetet që na takojnë, kurse mjetet e qeverisë të ndahen për klubet e Ligës së Parë, Ligës së Dytë e ligave tjera me radhë, kurse mjetet e UEFA-s në vlerë prej 2 milion e 400 mijë euro duhet t’iu ndahen klubeve të Superligës, jo tjera ndihma!” - thuhet në reagimin e KF Llapi.
Llapi që në tre stinorët e fundit me ngulm po kërkon daljen në gara evropiane, nuk e ka arritur atë ende.
Skuadra e kaltër nga Zahir Pajaziti është eliminuar nga garat e Kupës së Kosovës që çojnë në gara evropiane dhe tashmë rrugëdalje e vetme e skuadrës për arenë ndërkombëtare i ka mbetur Superliga.
Llapi është i gjashti në renditje me 34 pikë, 9 më pak se Drita që është e dyta në renditje - në pozitën që siguron garat evropiane.