FIBA EUROPE CUP
Lojë të mirë dhe përkrahje, deri te fitorja
9 November, 2016 @10:59
Basketbollisti i Pejës, Alban Veseli, ka thënë se me lëndimin e playmakerin Austin Tollitson i janë vështirësuar Pejës punët para ndeshjes me Clujin, që zhvillohet sonte në “Karagaç”.
Mirëpo, ai beson se me lojën më të mirë të tyre dhe me përkrahjen e madhe të tifozëve, ekipi mund të arrijë te fitorja.
“Natyrisht që do të jetë shumë vështirë duke pasë parasyh cilësinë e rivalit dhe lëndimin e playmakerit tonë, tashmë gjërat janë edhe më të vështira,” ka thënë Veseli për faqen zyrtare të ekipit të tij.
Për më tepër, ai ka shtuar:
“Nëse arrijmë të luajmë lojën tonë si kemi luajtur në ndeshjet e kaluara dhe me palestër të stërmbushur, besoj në një paraqitje të mirë të skuadrës.”
Peja është aktualisht në vend të tretë të grupit me një fitore nga tre ndeshje të zhvilluara, derisa Cluj ende është i pamposhtur.