MEDIAT TIRANASE SHKRUAJNË
Lojtarët prisnin 3, morrën 2 milionë!
17 November, 2015 @19:32
Futbollistët e kombëtares shqiptare pritet të ndajnë 2 milionë euro shpërblim nga FSHF-ja dhe kryeministria vendit për kualifikimin e tyre në EURO 2016.
Mirëpo, sipas raporteve nga mediat tiranase, ata janë ndarë të zhgënyer pasi që kanë pritur 2 nga FSHF dhe 1 milion tjetër nga kryeministri i vendit.
FSHF u ka sqaruar lojtarëve se në total janë 2 milionë euro, ku gjysma është e Federatës dhe tjetra e kryeministrisë si shpërblim për kualifikim.
Para ndeshjes me Armeninë, FSHF i kishte premtuar lojtarëve 2 milionë euro shpërblim për kualifikim, ndërsa kur arritën në Tiranë të kualifikuar, kryeministri u tha se do t’i shpërblej me 1 milionë euro. Rrjedhimisht, lojtarët pritën 3 milionë në total, derisa zyrtarët e Federatës u kanë komunikuar lojtarëve se gjithsej janë dy milionë, duke përfshirë edhe kryeministrinë.
Sa i përket asaj se si do të ndahet kjo shumë mes lojtarëve, pritet të diskutojnë lojtarët më me përvojë të ekipit, derisa Panorama Sport ka shkruar se këtu mund të hynë në punë edhe minutat e kaluara në fushë gjatë kampanjës për EURO 2016.