OPINION, PAS MIQËSORES
Mafia e FFK-së
Shkruan: Luan Morina
14 November, 2015 @10:22
Show TV turk, CTSport çek, RTS1 serb, BHT1 boshnjak, RTE2 irlandez, Een belg, RAI1 italian, BBC Two e Uellsit, SBS6 holandez, DajTo sllovak, RSI/RTS/SRF 2 zviceran, Telecinco spanjollle, ITV anglez, TF1 francez, ARD Das Erste gjerman, BBC Two e Irlandës së Veriut, TVP1 polak, dhe RUV 2 islandez janë kanale që kanë transmetuar ndeshjet e kombëtareve të tyre sot, e premte 13 nëntor.
Një gjë e përbashkët e këtyre kanaleve është se mund të pranohen me antena të thjeshta dhe pa asnjë kusht parapagese në vendet e tyre përkatëse. Pos ndeshjes ndërmjet Bosnjë e Hercegovinës dhe Irlandës, që të gjitha kanë qenë ndeshje miqësore. Që të gjitha janë transmetuar në kanale kombëtare pa pagesë. Edhe ndeshjet kualifikuese të Ruandës, Angolës, dhe Komorosit janë transmetuar në kanalet kombëtare pa pagesë. Por, jo ndeshja e Kosovës.
Fajtori është i ditur – FFK me bashkëpunëtorët e tij që provojnë të përfitojnë materialisht në shpinë të patriotizmit dhe ndjenjave të një populli të izoluar qe sa vite nga arena ndërkombëtare. Derisa federatat tjera arrijnë të shpërthejnë izolimin, FFK-ja mbetet peng e mafisë së futbollit evropian, mafisë e cila ka nisur të bie nga froni duke nisur nga miku dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Armando Dukës, Michel Platini.
Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, por pa përjashtuar as shtetet e rajonit, kanë rregullore ku përcaktohen ngjarjet sportive me rëndësi të lartë për publikun e gjerë që DUHET të transmetohen në kanale që mund të shikohen nga të gjithë në tërë territorin. Kosova nuk e ka as këtë. Kryesisht nga fakti që KPM-ja që nga fillimi ka qenë e korruptuar dhe marionetë e njerëzve të pushtetit që kanë vendosur njerëz të rangut të tretë të shërbimeve të tyre në krye të këtij komisioni.
Anglia, Gjermania, Franca, Italia, Austria, Zvicra, e sidomos Belgjika në mesin e shumë vendeve tjera kanë të përcaktuar me rregullore që të gjitha ndeshjet e kombëtares, qofshin miqësore apo zyrtare janë të OBLIGUARA të transmetohen në kanale kombëtare pa pagesë.
Sipas konfirmimit nga RTSH, FFK-ja as nuk ka ftuar në tender kanale kombëtare të pakoduara. Ka stërshitur bileta, e ka bërë çmos që të përfitoj materialisht nga kjo ndeshje ‘vëllazërore’. Për Dukën e FSHF-në është ditur se çfarë malli janë (hulumtoni pak për bizneset private të Dukës) – më trego me kë je mik, të tregoj se kush je (Platini i Dukës akuzohet për korrupsion). Por, kam pasur shpresa se FFK-ja është më e mirë. Mesa duket janë mësuar nga më të zotët e krimit futbolllistik.
Është mohim i të drejtës njerëzore të kufizosh një popull nga shikimi i kombëtares në futboll. E drejtë që i garantohet çdo vendi të civilizuar evropian, e nga shembujt e mësipërm edhe atyre amerikan. E drejtë që nuk garantohet në Kosovën e përpirë nga korrupsioni dhe grykë pangopurit.
Sqarim:
Opinionet, nuk paraqesin domosdoshmërisht, qëndrimin e redaksisë. |