DRITA - MALISHEVA
Malisheva mposhtë Dritën, humbja e parë e Ramadanit
16 December, 2023 @14:57
Humbjen e parë nën drejtimin e Zekerija Ramadanit Dritës ia ka shkaktuar skuadra e Malishevës.
Në stadiumin me bar sintetik në Gjilan, Malisheva e mposhti sot Dritën 1-2 (Blerim Krasniqi 5’ / Drilon Hazrollaj 17’, Altin Aliu 45’).
Vendasit ishin ata që të parët kaluan në epërsi, kur Blerim Krasniqi (5’) shënoi pas shërbimit nga Besnik Krasniqi.
Përkundër golit të pranuar herët, mysafirët nuk u dekurajuan dhe u rikthyen shpejt në lojë. Fillimisht për 1-1 shënoi Drilon Hazrollaj (17’) i shërbyer nga Etnik Brruti, e më pas Malishevën me epërsi 1-2 në pushim e çoi goli i Altin Aliut në minutën e 45’. Te ky gol asistoi Drilon Hazrollaj.
Në pjesën e dytë, presioni i Dritës drejt portës mysafire u shtua, e Malisheva në anën tjetër provonte të rrezikonte me kundërsulme.
Një shtyllë e Kastriot Selmanit, një goditje nga distanca e Muharrem Jasharit e një tjetër gjuajtje e fortë e Albin Prapashticës ishin disa prej rasteve më të mira të Dritës në pjesën e dytë, por gol të barazimit nuk pati në asnjë moment.
Malisheva u mbajt mirë deri në fund dhe arriti ta fitojë këtë takim, ndërkohë që Drita pësoi humbjen e humbjen e katërt sezonale, të parën nën drejtimin e Zekerija Ramadanit.
Për Malishevën kjo ishte ndeshja e fundit e stinorit vjeshtor, kurse Drita e ka edhe një, atë të mbetur ndaj Ballkanit, të cilën e luan të mërkurën që vjen.