NDAHEN RRUGËT

Malisheva në kërkim të trajnerit, nuk vazhdon me Bylbyl Sokolin
15 June, 2023 @20:45
Skuadra e Malishevës para pak çastesh ka bërë të ditur se ka ndarë rrugët me trajnerin e saj Bylbyl Sokoli. Me dakordim të dyanshëm e ka quajtur Malisheva këtë ndarje, ndërsa trajneri në fjalë që shpëtoi ekipin për të mos rënë nga liga nuk do të punojë me ata në stinorin që vjen.
“FC Malisheva dhe trajneri Bylbyl Sokoli, me dakordim të dyanshëm kanë vendosur që të mos renovojnë kontratën për sezonin e ardhshëm. Klubi e falenderon profesorin Sokoli për punën profesionale dhe angazhimin e tij me ç’rast edhe realizuam synimin për të cilin ishim dakorduar me rastin e marrëveshjes në janar kur profa mori drejtimin e skuadrës. Klubi i dëshiron suksese dhe i uron shëndet në të ardhmen.” - ka shkruar FC Malisheva në njoftimin e saj.
Sokoli kishte marrë drejtimin e Malishevës kah pjesa e fundit e Superligës, duke e zëvendësuar Sami Sermaxhajn në detyrë, për tu bërë trajneri i tretë në stinorin 2022/23 te ky klub, pasi që më parë kishin punuar me Arsim Thaçin. E me arritjen e mbijetesës në elitë, ekipi dhe trajneri me përvojë në futbollin kosovar, kanë ndarë rrugët.◼️