KOSOVA-TURQIA
Mbrojtja e zbehtë, Kosova mposhtet nga Turqia
11 June, 2017 @22:24
Përfaqësuesja e Kosovës ka pësuar edhe për të pestën herë në Grupin I kualifikues për Kampionatin Botëror Rusia 2018.
Djelmoshat e Albert Bunjakit, përsëri kanë çaluar në mbrojtje, duke i dhënë mundësi të shënojnë turqve nga rastet minimale që i kishin për të fituar.
Në momentin kur Amir Rrahmani barazoi për Kosovën në pjesë të parë, 1-1, disi u ngjallën shpresat, por shpejt një gabim tjetër, kushtoi me gol dhe prej atëherë Kosova nuk krijoi mjaftueshëm për të bërë diçka më shumë në ndeshje.
Në pjesë të dytë, kosovarët ishin në disavantazh 1-2 dhe pësuan edhe njëherë nga Burak Yilmaz për 1-3.
Më pas, Ozan Tufan shënoi për 1-4.
Shiko: TABELAT DREJT RUSIA 2018
Pjesa e parë, e cila u mbyll 1-2, kaloi me pak raste konkrete për shënim në të dyja anët, ndërsa ishin turqit ata që e gjetën golin në dy rastet e vetme për gol, të ndihmuar nga një mbrojtje e ‘ngathtë’ e Kosovës.
Fillimisht me kokë shënoi Sen për 0-1 që në minutën e 6’, derisa Kosova reagoi me golin e Amir Rrahmanit gjithashtu me kokë. Gjithsesi, avantazhi i mysafirëve u rikthye, me anësorin Under që shënoi për 1-2 dhe pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat.
Në fund, Kosova mbetet me një pikë të fituar nga ndeshja e parë kualifikuese ndaj Finlandës. Ndërsa Turqia ngritet lart dhe barazohet me pikë me Ukrainën, duke vazhduar shpresën për Botëror.