PA FITORE NDAJ ISHUJVE FAROE!
Me barazim të brishtë, Shqipëria për herë të parë fiton grupin
20 November, 2023 @23:41
Një ndeshje pa histori shumë, në një duel ku kuqezinjtë luajtën me 5 lojtarë jo-standard, kuqezinjtë e kualifikuar të Sylvinhos nuk kanë arritur më shumë sesa një barazim të brishtë pa gola në “Arenën Kombëtare” përplot me publik.
Shqipëria që siguroi kualifikimin me Moldavinë barazoi 0-0 ndaj Ishujve Faroe të hënën mbrëma, ndërsa spektakli në tribuna e pas ndeshjes nuk mungoi, por publiku golin që e priste për festë - nuk e pa.
Ka qenë Mirlind Daku me stopimet e tij jo të mira që ka dështuar të shënojë dy herë, në topat që i mirrte në thellësi nga mesfusha. Ndërsa edhe pas ndërrimeve të bëra pas minutës së 60 Shqipëria nuk arriti assesi të gjej rrugën e golit, derisa mysafirët treguan lojë të mirë të organizuar dhe disa herë rrezikuan seriozisht portën e Strakoshës, pa arritur të gjejnë kornizën. Në fund, me 0-0 Shqipëria ka siguruar vendin e parë në grup, para Çekisë, për të shkuar në EURO 2024 qetë, ndërsa është në vazon e dytë të shortit për fazën grupore të evropianit.