DETAJET E EURO 2016
Me një fitore, Shqipëria mund të dalë nga grupi
18 November, 2015 @12:13
Për herë të parë në histori të garave të Kampionatit Europian, do të marrin pjesë 24 shtete, për të kërkuar titullin e më të mirit të Europës nga 10 qershori deri më 10 korrik të vitit 2016.
Franca, do të jetë nikoqire e 24 përfaqësueseve dhe do të organizojë 51 ndeshje në total përgjatë 32 ditëve. Qytetet nikoqire janë: Bordeaux (Bordo), Lens (Llons), Lille (Llill), Lyon (Lion), Marseille (Marsej), Nice (Nis), Paris (Paris), St Denis (SonDeni), St Ettiene (SonEtjen) dhe Toulouse (Tulluz).
Të kualifikuar për në EURO 2016 janë: Franca (si nikoqire), pastaj Islanda, Çekia, Turqia, Belgjika, Uellsi, Spanja, Sllovakia, Gjermania, Polonia, Anglia, Zvicra, Irlanda Veriore, Rumania, Austria, Rusia, Italia, Kroacia, Portugalia, Shqipëria, Hungaria, Irlanda, Ukraina dhe Suedia.
Në shortin e 12 dhjetorit do të formohen gjashtë grupe me nga katër skuadra ku dy të parat automatikisht kualifikohen për të tetën e finales, ndërsa katër nga vendet e treta do të kërkojnë rastin përmes pikëve që i mbledhin në ndërkohë aty. Kjo do të jetë posaçërisht e mirëseardhur për Shqipërinë, që me një fitore potenciale dhe me llogari të mira në golaverazh, do të mund të kalonte edhe fazën grupore që në debutim të saj në EURO.