DEKLARATA E TRAJNERIT TË GJILANIT
Mezani: I kënaqur, na duhet edhe pak përvojë
22 August, 2023 @8:41
Trajneri i ri i Gjilanit, Gentjan Mezani në deklaratën e dhënë pas ndeshjes ndaj Prishtinës, ku ekipi i tij nxorri barazim ka thënë se është i kënaqur me lojtarët e tij, ndërsa në ditët në vijim do të shikojë të gjejë edhe ndonjë lojtar me përvojë, që ta stabilizojë edhe më skuadrën.
“Unë jam i nderuar që Gjilani më ka ftuar përsëri dhe jam pjesë e Superligës përsëri. Të gjithë lojtarët kanë luajtur mirë. Disa luajtën për herë të parë një ndeshje Superlige. Ne si ekip iu kundërvuam Prishtinës duke i mbajtur larg dhe rrezikimet e tyre kryesisht vinin me goditje nga distanca. Kjo tregon që mbroheshim mirë. Tash është projekt i ri që më besuan dhe na duhen edhe disa lojtarë me eksperiencë, me gërshetimin e tyre do të bëjmë diçka të mirë për ekipin,” ka thënë trajneri vlonjat, Mezani.
Gjilani hyri në krizë të madhe pak para fillimit të kampionatit. Pas largimit të kryetarit Florim Zuka, ekipi mbeti pa financa dhe të gjithë lojtarët seniorë ikën. Skuadrës iu rrezikua edhe pjesëmarrja në Superligë, por shpejt me gjetjen e drejtuesve të ri, ekipi u konsolidua brenda gushtit dhe tashmë që në ndeshjen e parë me plot lojtarë të ri ata barazuan ndaj Prishtinës, për të marrë pikën e parë në ndeshjen e parë të stinorit.