NGA INTERVISTA

Fotot: canaries.co.uk
Milot Rashica: Në secilin moment jemi krenar për fanellën e Kosovës
18 September, 2021 @10:56
Milot Rashica që nisi karrierën e tij te Vushtrria në Kosovë, ka folur për faqen zyrtare të ekipit të tij të tashëm, Norwich City në Premier Ligë.
Futbollisti kosovar, që luan zakonisht në krah të djathtë të fushës, ka dhënë intervistë ekskluzive për Canaries, ndërsa ndër të tjera ka bërë të ditur se secili lojtar i Kosovës është krenar në secilin moment, kur vishet fanella e Kosovës.
“Norwich City është duke u munduar të bëj ekip solid për Premier Ligë. Kështu, ekipi që bën transfere dhe vlerëson lojtarë, gjatë verës kanë kërkuar futbollistë me karakter të fortë, natyrisht dhe të talentuar. E Milot Rashica, i lindur në Kosovë është sigurisht njëri prej atyre lojtarëve që e di se si duhet luftuar për t’u njohur,” ka shkruar ndër të tjera Canaries, duke folur për vushtrriasin, që debutoi si startues në përballjen e paër të tij në Premier Ligë.
Në anën tjetër, Rashica 25-vjeç në njërën ndër përgjigjet e tij për faqen zyrtare të klubit ka treguar se shumë njerëz kanë dhënë jetën për Kosovën, prandaj veshja e kësaj fanelle ka kuptim shumë domethënës për secilin lojtar.
“Shumë njerëz kanë vdekur për këtë, prandaj për ne lojtarët është një moment krenarie sa herë që veshim fanellën e vendit tonë,” ka shtuar ndër të tjera Miloti.
Ngritja graduale e karrierës së Rashicës ka qenë mahnitëse, pasi që futbollisti kishte kaluar nga Vushtrria te Vitesse në Eredivise.
Nga Holanda kaloi në Gjermani, kur Werder Bremen e mori. E tash në elitën angleze të futbollit, aty ku luajnë numri më i madh i yjeve të futbollit në botë.