SHQIPËRIA - BOSNJA & H.

Mposhtemi edhe në miqësore
28 March, 2017 @19:49
Pas tri humbjeve të njëpasnjëshme në ndeshjet kualifikuese për Kampionat Botëror, Shqipëria nuk arriti t’i gëzohet fitores as sonte në miqësoren kundër Bosnjës dhe Hercegovinës.
Kuqezinjtë në stadiumin “Elbasan Arena” që kishte interesim të vogël nga shikuesit, u mposht me rezultat 1-2 boshnjakët.
Penalltia e dhënë lehtësisht që në minutën e shtatë, ia prishi planet edhe kësaj radhe Gianni De Biasit, i cili gjithsesi që nuk e kishte planifikuar një gol kaq të hershëm.
Penalltinë e realizoi Edin Dzeko, ndërsa ky gol i dha Bosnjës rehati dhe siguri në lojë. Ky ishte goli i 50-të i Dzekos me fanellën e përfaqësueses së tij.
Pas golit të pësuar, Shqipëria mori kontrollin e lojës duke pasur më shumë posedimin e topit, mirëpo kishte vështirësi të krijojë raste për të shënuar.
Ndërsa atë që nuk arrinte ta bënte Shqipëria, e bëri Bosnja në minutën 42’, duke shënuar me anë të mesfushorit Senad Lulic.
Në pjesën e dytë Shqipëria vazhdoi ta ketë posedimin, por përsëri rastet ishin të pakëta. Megjithatë rezultati u ngushtua në minutën 68’, kur Bekim Balaj shënoi me kokë pas krosimit të bukur të Jahmir Hykës nga e djathta, duke i dhënë shpresë kuqezinjëve për rezultat pozitiv në këtë ndeshje.
E së paku barazimi nuk do të ishte një synim i pamundur, pasi Liridon Latifi goditi me kokë mjaft bukur në minutat e fundit, por që portieri me përvojë, Asmir Begovic, nuk lejoi të ndodhte diçka e tillë.
Kjo është humbja e katërt rresht e Shqipërisë, ndërsa ndeshjen e radhës e luan ndaj Izraelit, në kuadër të kualifikimeve për Botëror.