STËRVITJA PAS HUMBJES

Fotot: FFK
Në shi, nisin stërvitjet për duel ndaj Gjeorgjisë
10 October, 2021 @17:32
Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar sot me stërvitje para ndeshjes së radhës kundër Gjeorgjisë, që zhvillohet të martën në stadiumin Fadil Vokrri.
Stërvitja u zhvillua në fushën e Kompleksit të FFK-së në Hajvali nën reshjet e shiut, derisa të pranishëm ishin futbollistët që nuk luajtën dhe ata që u inkuadruan si zëvendësues në ndeshjen e mbrëmshme kundër Suedisë. Ndërkaq, pjesa tjetër e futbollistëve kanë bërë rigjenerim me ushtrime fitnesi në hotel.
Kosova u mposht nga Suedia dje në Friends Arena 3-0. Kosova ka shënuar një fitore të vetme deri tash në Grupin B kualifikues për Botëror dhe atë ndaj Gjeorgjisë.
TABELA AKTUALE dhe ORARI I NDESHJEVE
Nesër, Dardanët, të kompletuar, do ta zhvillojnë stërvitjen e fundit në stadiumin Fadil Vokrri në orën 16:30.
Kosova-Gjeorgjia është ndeshja e parafundit e Kosovës në Grupin B kualifikues për Botërorin e Katarit 2022, ndërsa arritja e deritashme e Kosovës në kualifikime për Botëror është veçse historike pasi që ka shënuar fitoren e parë dhe do të synojë të dytën, gjithashtu ndaj Gjeorgjisë.
Dueli i fundit i Kosovës në kualifikime për Botëror luhet në muajin e ardhshëm, kur Dardanët janë mysafirë të Greqisë më 14 nëntor.